Për herë të parë që nga sezoni 1929-30, Milani dhe Bolonja do të përballen sonte në një finale historike të Kupës së Italisë, një përballje që rikthen rivalitetin mes dy klubeve me histori të pasura në futbollin italian.
Përballje me shumë histori, por pa finale
Milani dhe Bolonja janë ndeshur më parë tetë herë në fazën finale të Kupës së Italisë ndër vite (1968–1977), me një bilanc në favor të kuqezinjve: katër fitore për Milanin, dy për Bolonjën dhe dy barazime. Në total, kjo do të jetë përballja e 15-të në këtë kompeticion, me Milanin që ka 6 fitore dhe Bolonjën 4, ndërsa 4 takime kanë përfunduar pa fitues.
Përballja e fundit mes tyre në Kupë daton më 13 dhjetor 1995, kur Bolonja eliminoi Milanin pas penalltive në çerekfinale, pas dy ndeshjesh të barabarta 1-1.
Milan në kërkim të rikthimit te trofetë
Finalja e sotme është e 15-ta për Milanin në historinë e Kupës së Italisë, por bilanci nuk është optimist: vetëm 5 fitore dhe 9 humbje, çka e bën klubin kuqezi skuadrën me më shumë humbje në finale të këtij kompeticioni.
Fitorja e fundit e Milanit në Kupën e Italisë ishte në vitin 2003, nën drejtimin e Karlo Ançelotit. Tani, trajneri Konseisao synon dopietën sezonale, pas suksesit në Superkupën italiane kundër Interit. Me fitore ndaj Sasuolos, Romës dhe Interit, kuqezinjtë shpresojnë të rikthejnë lavdinë e munguar që nga sezoni 2007-08.
Bolonja e fortë në finalet e Kupës
Bolonja, ndërkohë, luan finalen e saj të tretë në historinë e këtij kompeticioni – dhe ka një rekord perfekt: dy fitore nga dy finale, përkatësisht në vitet 1970 dhe 1974.
Skuadra e Viçenzo Italianos vjen në këtë finale pas një ecurie mbresëlënëse, me 10 gola të shënuar dhe vetëm një të pësuar, përfshirë fitoren ndaj Atalantës në çerekfinale. Në krye të këtij suksesi qëndron Riccardo Orsolini, organizatori dhe lojtari kyç i kuqebluve.
Formë dhe precedentë
Në nëntë vitet e fundit, Bolonja ka mposhtur vetëm një herë Milanin – më 27 shkurt 2025 (2-1) – por Milani mori hak pak ditë më vonë me fitoren 3-1.
Për trajnerin Viçenzo Italiano, kjo është finalja e katërt në dy vite (tri të mëparshmet të humbura me Fiorentinën).
Një sfidë e madhe për të dyja skuadrat
Finalja e Kupës së Italisë sjell jo vetëm trofeun, por edhe mundësinë për një kapitull të ri për të dyja skuadrat. Milani kërkon të përmirësojë një bilanc zhgënjyes në këtë kompeticion dhe të rikthehet te suksesi pas më shumë se dy dekadash. Nga ana tjetër, Bolonja synon të ruajë rekordin perfekt në finale dhe të vazhdojë sezonin magjik që po zhvillon nën drejtimin e Italianos.
🎙 Finalja luhet sonte në stadiumin Olimpico të Romës dhe pritet të jetë një spektakël i vërtetë futbolli për të gjithë tifozët italianë.