Në Forumin Ekonomik Botëror në Davos është themeluar zyrtarisht Bordi i Paqes për Gazën, një organizatë e re ndërkombëtare e iniciuar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Dokumenti i themelimit u nënshkrua fillimisht nga Trump, për t’u firmosur më pas nga udhëheqësit dhe përfaqësuesit e shteteve pjesëmarrëse.
Në ceremoninë zyrtare, gjithsej 19 shtete firmosën aktin e krijimit të Bordit të Paqes për Gazën. Shtetet nënshkruese janë: Bahreini, Maroku, Argjentina, Armenia, Azerbajxhani, Bullgaria, Hungaria, Indonezia, Jordania, Kazakistani, Kosova, Pakistani, Paraguai, Katari, Arabia Saudite, Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Uzbekistani dhe Mongolia.
Sipas burimeve zyrtare, disa shtete nuk ishin të pranishme fizikisht në ceremoninë e nënshkrimit në Davos, ndonëse kanë pranuar të jenë pjesë e Bordit, përfshirë edhe Shqipëria. Presidenti amerikan deklaroi në përmbyllje të ceremonisë se interesimi për këtë iniciativë është më i gjerë dhe se edhe shtete të tjera i janë bashkuar Bordit të Paqes, pa dhënë një shifër të saktë.
Themelimi i Bordit të Paqes për Gazën konsiderohet si një hap i rëndësishëm diplomatik, që synon të luajë rol aktiv në stabilizimin e rajonit dhe ndërtimin e paqes së qëndrueshme në zonat e prekura nga konflikti.

