Flota e Transportit Publik Urban në kryeqytet po modernizohet dhe zgjerohet me 90 autobusë të rinj, ndërsa shumë shpejt pritet të shtohen edhe 30 të tjerë.
Sipas njoftimit të bërë nga autoritetet e transportit publik, ky hap vjen si rezultat i bashkëpunimit me partnerë ndërkombëtarë si BERZH, IFC, KfW dhe Banka Botërore, me synim rritjen dhe modernizimin e shërbimeve të transportit publik.
“Ky transformim nuk është një akt i vetëm – është një proces i vazhdueshëm që synon një Prishtinë më të pastër, më të gjelbër dhe më të qasshme për të gjithë qytetarët,” theksohet në njoftim.
Investimi përfshin jo vetëm zgjerimin e flotës, por edhe futjen e autobusëve elektrikë dhe logjistikën bashkëkohore, duke përmirësuar efikasitetin dhe komfortin e shërbimit për banorët e kryeqytetit.