Kosova vazhdon të renditet si shteti më i varfër në Europë, sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) për vitin 2025. Me vetëm 8,033 dollarë të ardhura për frymë, Kosova mbetet në fund të listës europiane, duke reflektuar nivelin më të ulët të mirëqenies ekonomike në kontinent.
Të dhënat tregojnë se, pavarësisht zhvillimeve ekonomike në rajon, territori i Kosovës vazhdon të përballet me sfida serioze strukturore, si të ardhura të ulëta, papunësi dhe fuqi të dobët blerëse të qytetarëve.
Pas Kosovës, në renditje vijnë disa vende të Ballkanit Perëndimor. Bosnjë-Hercegovina regjistron të ardhura për frymë prej 9,467 dollarësh, ndërsa Maqedonia e Veriut arrin në 10,377 dollarë.
Shqipëria, nga ana tjetër, ka shënuar përmirësim relativ, duke arritur në 11 mijë dollarë për frymë, çka i ka mundësuar të tejkalojë Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovinën. Megjithatë, edhe Shqipëria mbetet shumë larg standardeve europiane, pasi të ardhurat për frymë përbëjnë vetëm 28% të mesatares së Europës dhe 23.7% të mesatares së Bashkimit Europian, e cila llogaritet në 46,804 dollarë.
Në rajon, Serbia kryeson me rreth 15.3 mijë dollarë për frymë, duke lënë pas Malin e Zi me 14.9 mijë dollarë, i cili për vite me radhë kishte mbajtur vendin e parë.
FMN thekson se Shqipëria ka përfituar vitet e fundit edhe nga nënçmimi i euros dhe dollarit, gjë që ka ndikuar në rritjen nominale të të ardhurave për frymë, pa reflektuar domosdoshmërisht rritje reale të mirëqenies.
Në treguesin e dytë kyç – PBB për frymë sipas barazisë së fuqisë blerëse (PPP) – Kosova vazhdon të mbetet ndër vendet e fundit në Europë, duke reflektuar se paraja ka më pak vlerë reale për qytetarët, për shkak të kostos së jetesës dhe nivelit të ulët të prodhimit ekonomik.
Ky tregues mat jo vetëm sa prodhon një ekonomi për banor, por edhe sa mund të blejë realisht një qytetar në vendin e vet, duke e bërë një nga indikatorët më të rëndësishëm për standardin e jetesës.
Sipas ekspertëve, të dhënat e FMN-së tregojnë se Kosova mbetet përballë nevojës urgjente për reforma ekonomike, rritje të produktivitetit dhe politika zhvillimore afatgjata, në mënyrë që të dalë nga fundi i renditjes europiane.Monitor.



