Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka mirëpritur sot në ndërtesën e Qeverisë të rinjtë pjesëmarrës në Forumin Rinor të Procesit të Berlinit, i cili për herë të parë po zhvillohet në Prishtinë. Në forum marrin pjesë të rinj nga Kosova, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia.
Në fjalën e tij, Kurti u shpreh i kënaqur që Kosova është nikoqire e këtij takimi, duke e cilësuar si vendin e duhur ku të rinjtë e rajonit mund të takohen, të diskutojnë mbi të kaluarën dhe të punojnë së bashku për një të ardhme më të mirë.
Ai rikujtoi progresin e bërë në kuadër të Procesit të Berlinit, duke përmendur pesë marrëveshjet rajonale të nënshkruara gjatë tre viteve të fundit që lehtësojnë lëvizjen, veçanërisht për studentët dhe punëtorët. Në këtë kuadër veçoi “Marrëveshjen për Arsimin e Lartë” dhe “Njohjen e Profesioneve”.
Kryeministri theksoi gjithashtu rëndësinë e heqjes së pengesave për lëvizjen e të rinjve kosovarë drejt Bosnjës dhe Hercegovinës, duke përmendur se të rinjtë nga ky shtet kanë ardhur pa pasur nevojë për viza në Kosovë.
Në fjalën e tij, Kurti shpalosi përkushtimin e Qeverisë për të krijuar mundësi për të rinjtë përmes arsimit publik falas, bursave, arsimit dual, si dhe duke nxitur demokracinë, lirinë e medias dhe debatin e hapur.
Ai i inkurajoi të rinjtë të marrin pjesë në shkëmbime, aktivitete kulturore e sportive, si dhe të mësojnë gjuhët e njëri-tjetrit. “Me mendje të hapur dhe gatishmëri për të dëgjuar, mund t’i përballoni edhe debatet më të vështira dhe prapë të gjeni pika të përbashkëta,” tha Kurti, duke u uruar pjesëmarrësve një forum produktiv dhe një qëndrim të këndshëm në Prishtinë.