Bashkimi Evropian ka instrumentet e nevojshme për t’iu përgjigjur tarifave të reja të vendosura nga Shtetet e Bashkuara, ka deklaruar ministri francez i Tregtisë, Nicolas Faurisier, duke bërë thirrje për një reagim të koordinuar të vendeve të bllokut.
Në një intervistë për Financial Times, ai tha se vendet e BE-së duhet të miratojnë një “qasje të përbashkët” ndaj taksës shtesë doganore prej 10% mbi importet, e shpallur nga presidenti amerikan Donald Trump.
Sipas Faurisier, aktualisht janë duke u zhvilluar diskutime mes vendeve anëtare dhe Komisionit Evropian për të vlerësuar pasojat e vendimit dhe për të përcaktuar reagimin e mundshëm të bllokut.
“Nëse është e nevojshme, Bashkimi Evropian ka mjetet e duhura”, ka deklaruar ai.
Zyrtarët francezë kanë bërë të ditur se është ende herët për të përcaktuar se cilat masa konkrete do të ndërmerren, por në tavolinë janë disa alternativa. Njëra prej tyre është përdorimi i të ashtuquajturës “bazuka tregtare”, Instrumenti Kundër Detyrimit (ACI) i BE-së, i cili mund të vendosë masa ndaj kompanive amerikane, veçanërisht në sektorin e teknologjisë.
Ky instrument përfshin një gamë të gjerë masash, nga kontrollet e eksportit dhe tarifat për shërbimet, deri te përjashtimi i kompanive amerikane nga kontratat publike në vendet e BE-së.
Gjithashtu, në diskutim është edhe një paketë tarifash hakmarrëse ndaj produkteve amerikane me vlerë mbi 90 miliardë euro.
Ministri francez theksoi se kërcënimet tarifore nga administrata e Trump kanë forcuar unitetin brenda Bashkimit Evropian, por paralajmëroi se blloku duhet të jetë i gatshëm të reagojë.
“Nuk mund të jemi më naivë. Duhet të përdorim mjetet tona dhe jo vetëm të flasim për to. Nuk duam të jemi të varur dhe as të bëhemi peng”, u shpreh ai.
Ndërkohë, Parlamenti Evropian pritet të mblidhet të hënën për të diskutuar shtyrjen e mëtejshme të ratifikimit të një marrëveshjeje tregtare me SHBA-në.
Sipas ekonomistëve, tarifat e reja amerikane po ndikojnë në rritjen e çmimeve dhe në vështirësitë e kompanive që varen nga eksportet. Guvernatori i Bankës së Italisë, Fabio Panetta, tha se një pjesë e madhe e kostove është transferuar te konsumatorët.
Ai vlerësoi se tarifat kanë kontribuar me më shumë se gjysmë pikë përqindjeje në rritjen e inflacionit në SHBA, i cili në muajin janar qëndroi në rreth 2.4 për qind.

