Të martën në Kosovë pritet një ndryshim i dukshëm i kushteve atmosferike si pasojë e depërtimit të një fronti polar. Gjatë ditës do të fillojnë të fryjnë erëra të ftohta nga veriu dhe veriperëndimi, të cilat do të ndikojnë në ulje të ndjeshme të temperaturave.
Sipas parashikimeve, ky sistem ajror do të shoqërohet me shtim lokal të vranësirave, ndërsa vende-vende nuk përjashtohet mundësia për rrebeshe të izoluara bore, kryesisht në viset më të ekspozuara ndaj masave të ftohta ajrore.
Temperaturat maksimale mund të arrijnë deri në 7 gradë Celsius gjatë orëve të paradites, por pasdite pritet rënie e shpejtë e tyre në të gjitha viset e vendit, duke rikthyer ndjesinë e fortë të të ftohtit.

