Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka pranuar sot një kontingjent të ri autoblindash të prokuruara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një ceremoni të zhvilluar në prani të kryeministrit Albin Kurti, ministrit të Mbrojtjes Ejup Maqedonci, komandantit të FSK-së, gjeneral-lejtënant Bashkim Jashari, dhe atasheut ushtarak të SHBA-ve në Kosovë, nënkolonel Jonathan Shaw.
Kryeministri Kurti e cilësoi këtë furnizim si një dëshmi të re të partneritetit të fortë mes Kosovës dhe SHBA-ve, si dhe një hap të rëndësishëm në fuqizimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit.
“Ushtria jonë do të vazhdojë të zhvillohet krahë për krahë me partnerin tonë strategjik, jo vetëm në pajisje, por edhe në trajnim, shkollim dhe doktrinë, e cila është e bazuar në atë të ushtrisë amerikane,” deklaroi Kurti.
Ceremonia u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm në fushën e mbrojtjes, që synon rritjen e kapaciteteve operacionale të FSK-së dhe përshtatjen e saj me standardet e NATO-s.