Shtetet e G7 dhe Bashkimi Europian janë në diskutime të avancuara për një ndalim të plotë të shërbimeve detare që lidhen me transportin e naftës ruse – një hap drastik që synon të shkurtojë të ardhurat e Kremlinit nga energjia, burimi kryesor i financimit të luftës në Ukrainë. Lajmi raportohet nga Reuters, duke cituar gjashtë burime diplomatike dhe teknike të përfshira në bisedime.
Çfarë ndryshon me masën e re?
Aktualisht, më shumë se 1/3 e eksporteve të naftës ruse transportohet me cisterna të vendeve të G7 dhe BE-së, kryesisht drejt Indisë dhe Kinës. Ende përdoren sigurimet, shërbimet teknike dhe logjistika perëndimore.
Masa e re – nëse miratohet – i jep fund çdo shërbimi detar nga Perëndimi për naftën ruse, pavarësisht çmimit me të cilin shitet.
Me pak fjalë: nga çmim-tavan → në ndalim total.
Kjo do ta detyronte Rusinë të zgjerojë më tej të ashtuquajturën “flota hije”, një rrjet qindra anijesh të vjetra, shpesh të pasigurta dhe me pronësi të paqartë.
Sanksionet e reja pritet të hyjnë në paketën e vitit 2026
Tre nga burimet e cituara konfirmojnë se ndalimi i shërbimeve detare synohet të përfshihet në paketën e ardhshme të sanksioneve të BE-së në fillim të vitit 2026.
Dy burime të tjera thonë se BE kërkon koordinim të plotë me G7 përpara finalizimit.
Britania dhe SHBA janë shtytësit kryesorë të kësaj mase brenda G7.
Qëndrimi i SHBA-së – nga Biden te Trump
Administrata Biden ka argumentuar se detyrimi i Rusisë të paguajë më shumë për transport dhe logjistikë ul kapacitetin e saj për të financuar luftën.
Por administrata Trump është treguar më skeptike:
-
ka refuzuar t’i bashkohet BE-së, Kanadasë dhe Britanisë në uljen e çmim-tavanit në shtator 2025;
-
vendimi përfundimtar i SHBA-së për ndalimin e shërbimeve detare do të varet nga pozicioni i presidentit Trump, sidomos tani që Uashingtoni po udhëheq negociatat e paqes mes Ukrainës dhe Rusisë.
Nga çmim-tavan te bllokadë totale
Që prej vitit 2022, mekanizmi i G7 ka funksionuar kështu:
-
vendet e treta mund të përdorin shërbime perëndimore vetëm nëse paguajnë nën çmim-tavan;
-
vetë G7 dhe BE pothuajse e kanë zeruar importin nga Rusia.
Masa e re, nëse miratohet, do të jetë sanksioni më i ashpër energjetik që është vendosur deri tani ndaj Moskës – një bllokadë e plotë e industrisë detare që mbështet eksportet e saj të naftës.

