Ushtria izraelite ka njoftuar se ka rikuperuar trupat e dy pengjeve që më parë mbaheshin nga grupi militant Hamas në Rripin e Gazës.
Një prej trupave është identifikuar si ai i Ilan Weiss, banor i Kibbutz Be’eri, i cili u vra gjatë sulmit të 7 tetorit 2023, kur Hamas kreu inkursionin më të madh ndaj Izraelit jugor, duke shkaktuar nisjen e luftës aktuale. Trupi tjetër mbetet ende i paidentifikuar.
Thirrjet për marrëveshje armëpushimi
Kryeministri Benjamin Netanyahu deklaroi se “fushata për kthimin e pengjeve vazhdon pa ndërprerje” dhe se Izraeli nuk do të ndalet “derisa të gjithë pengjet, të gjallë ose të vdekur, të kthehen në shtëpi”.
Ndërkohë, Forumi i Familjeve të Pengjeve dhe të Zhdukurve, i cili ka organizuar protesta masive duke kërkuar një armëpushim, i bëri thirrje qeverisë izraelite të hyjë menjëherë në negociata.
“Koha po mbaron për pengjet. Koha po mbaron për popullin e Izraelit që mbart këtë barrë”, thuhet në deklaratën e tyre.
Gaza City shpallet “zonë e rrezikshme luftarake”
Ushtria izraelite (IDF) njoftoi se do të pezullojë pauzat e mesditës, të cilat deri më tani lejonin shpërndarjen e ndihmës humanitare në Gaza City. Qyteti është shpallur “zonë luftarake e rrezikshme”, ndërsa Izraeli përgatitet për një ofensivë të gjerë.
“Pushimet taktike”, që më parë lejonin futjen e ushqimeve dhe ndihmës mjekësore nga ora 10:00 deri në 20:00, kishin përfshirë Gaza City, Deir al-Balah dhe zonën Muwasi, ku strehohen qindra mijëra civilë të zhvendosur.
Pasojat humanitare
Kombet e Bashkuara paralajmëruan se, nëse ofensiva e planifikuar vazhdon, gjysma e shtretërve spitalorë të Gazës mund të dalin jashtë funksionit, duke rrezikuar kolapsin e sistemit shëndetësor.
Ndërkohë, një raport i fundit i IPC tregoi se Gaza City po përballet me uri ekstreme, me nivele të pashembullta të kequshqyerjes së fëmijëve.
Edhe Këshilli Norvegjez i Refugjatëve paralajmëroi se përgatitja për ofensivën e re ka vështirësuar edhe më tej dërgesat e ndihmave.