Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti e ka vlerësuar si alarm për të ardhmen e vendit situatën rreth refuzimit të projektit të gazit amerikan.
Ai ka thënë se energjia është siguri kombëtare dhe SHBA-ja ka qenë pranë Kosovës në ditët më të vështira të saj.
“Ky nuk është më vetëm një debat për energjinë. Ky është një alarm për të ardhmen e Kosovës.”, ka thënë Hoti.
Kandidati për deputet nga radhët e LDK-së ka shtuar se heshtja ndaj paralajmërimit të SHBA-së nuk është përgjegjësi.
“Kur partneri ynë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, na paralajmërojnë se po rrezikojmë të mbetemi jashtë projekteve të mëdha energjetike, të humbasim investime dhe të dobësojmë lidhjen tonë me aleatin më të madh, atëherë heshtja nuk është përgjegjësi.”
“Për vite me radhë ShBA ka qenë pranë Kosovës në ditët më të vështira. Sot, në vend që të shfrytëzojmë një mundësi për zhvillim, siguri energjetike dhe ekonomi më të fortë, po shohim një qasje që po na largon nga miqtë tanë.”, ka thënë Hoti.
Ai ka shtuar se qytetarët e Kosovës duhet ta kuptojnë se energjia është siguri kombëtare, investimet janë vende pune, ndërsa raporti me SHBA-në, sipas tij, është themel i shtetit.
“Nuk mund të lejojmë që politika e një njeriu apo e një qeverie ta vërë në rrezik atë që është ndërtuar me dekada. Koha është të zgjohemi, të kërkojmë përgjegjësi dhe të mos lejojmë që Kosova të largohet nga rruga e saj euro-atlantike. Çdo qeveri duhet ta kuptojë: miqësia me Amerikën nuk është kartë politike — është interes jetik i Kosovës.”, ka shkruar Hoti.

