Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka dërguar një mesazh të prerë nga Vjena, ku po merr pjesë në takimin ministror “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”. Në prani të Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Kaja Kallas, dhe Ministres së Jashtme të Austrisë, Beate Meinl-Reisinger, Gërvalla ka kërkuar që masat e padrejta ndaj Kosovës të hiqen menjëherë, duke theksuar se ato po dëmtojnë vetëm stabilitetin dhe integrimin evropian.
Ajo theksoi se sulmi terrorist i 24 shtatorit në Banjskë nuk mund të shpërlahet me heshtje diplomatike dhe se Serbia duhet të mbajë përgjegjësi, përfshirë dorëzimin e Millan Radoiçiqit për t’u gjykuar në Kosovë.
Gërvalla ngriti edhe një çështje që po i prek çdo ditë qytetarët e Kosovës: trajtim poshtërues në kufi, ndalesa arbitrare, arrestime pa arsye, e sjellje që siç tha ajo, “bien ndesh me çdo parim evropian dhe çdo standard minimal të të drejtave të njeriut”.
Në fjalën e saj, ministrja përsëriti pozicionin e qartë të Kosovës për dialogun:
Dialogu me Serbinë ka kuptim vetëm nëse përfundon me njohje të ndërsjellë.
Ajo theksoi se Kosova ka dëshmuar me veprime të përditshme orientimin e palëkundur euroatlantik – dhe tash është radha e BE-së që këtë realitet ta shndërrojë në hapa konkretë në procesin e zgjerimit.
Mesazhi i Gërvallës nga Vjena ishte i drejtë, i qartë dhe pa ekuivok:
Kosova e ka bërë pjesën e vet – tani BE-ja duhet të veprojë.

