Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se ka nisur hetimet ndaj dy personave me inicialet A.T. dhe V.H., të cilët dyshohen për përfshirje në një rast të shantazhit. Organi i akuzës ka dorëzuar kërkesë në Gjykatën Themelore për caktimin e paraburgimit prej 30 ditësh për të dy të pandehurit.
Sipas detajeve të publikuara nga Prokuroria, dyshohet se të dy të pandehurit, të koordinuar mes vete, kanë ushtruar shantazh ndaj një gruaje – viktimës me inicialet B.H. E pandehura V.H. dyshohet se e ka kërcënuar të dëmtuarën me publikimin e informacioneve komprometuese, në rast se ajo nuk i jepte shumën prej 5000 eurosh. Në bisedat telefonike të zhvilluara me viktimën, V.H. pretendonte se kishte prova që ajo kishte pasur marrëdhënie me disa persona dhe se do t’ia dërgonte këto prova bashkëshortit të saj nëse nuk i paguhej shuma e kërkuar.
Ngjarja ka kulmuar më 18 korrik 2025, kur viktima, nën mbikëqyrjen e autoriteteve, dorëzoi shumën e kërkuar në një qendër tregtare në Gjakovë, siç ishte udhëzuar nga e pandehura. Ajo e vendosi zarfin me para brenda një pale pantallona të zeza në katin e tretë të qendrës tregtare, ku më pas erdhi V.H. së bashku me vajzën e saj të mitur, e mori zarfin dhe tentoi të largohej. Pas kontaktit me një zyrtar policor në katin e dytë, e pandehura tentoi të zhdukte provat duke e hedhur zarfin, por u ndalua menjëherë nga policia. Pak çaste më vonë u arrestua edhe i dyshuari A.T., i cili kishte mbërritur në vendin e ngjarjes.
Prokuroria ka bërë të ditur se ndaj të pandehurve rëndon dyshimi për veprën penale “Shantazh”, sipas nenit 329 paragrafi 1 lidhur me nenet 31 dhe 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Autoritetet prokuroriale në Gjakovë theksojnë se mbeten të përkushtuara në luftën kundër kriminalitetit dhe në garantimin e sundimit të ligjit në vend.