Që nga 1 janari 2026, Gjermania ka hyrë në fuqi një rregull i ri i quajtur “pensioni aktiv”, i cili u lejon pensionistëve që vazhdojnë të punojnë të fitojnë deri në 2,000 euro në muaj pa paguar tatim mbi të ardhurat, përveç pensionit që marrin.
Sipas raportimit të FOCUS Business, masa synon të inkurajojë njerëzit mbi moshën zyrtare të pensionit që të vazhdojnë punën dhe kështu të ndihmojnë ekonominë, e cila po përballet me mungesë të fuqisë punëtore dhe plakje të popullsisë.
Në praktikë, kjo do të thotë se pensionistët që vazhdojnë të punojnë mund të fitojnë deri në 24,000 euro në vit pa taksa, por vetëm nëse janë të punësuar në një marrëdhënie pune që i nënshtrohet kontributeve të sigurimeve shoqërore. Çdo të ardhur mbi këtë shumë tatohet normalisht.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë për një “surprizë”: edhe pse këto të ardhura janë pa tatim, ato nuk përjashtohen nga kontributet e sigurimeve shoqërore, si sigurimi shëndetësor apo ai për kujdesin afatgjatë. Kjo do të thotë se një pjesë e të ardhurave vazhdon të shkojë për kontribute sociale.
Masa ka hapur debat të madh në Gjermani. Sindikatat dhe organizatat sociale thonë se përfitimi do të shkojë kryesisht për pensionistët në profesione më të lehta, si punët në zyrë apo konsulencë, ndërsa ata që kanë punuar në profesione të rënda fizike nuk do të kenë mundësi reale ta shfrytëzojnë këtë skemë.
Gjithashtu, të vetëpunësuarit, profesionistët e pavarur dhe ish-nëpunësit civilë nuk përfshihen në këtë lehtësim tatimor. Ekspertët parashikojnë se shteti mund të humbasë deri në 2.8 miliardë euro të ardhura tatimore në vit, ndërsa efektet reale në tregun e punës do të vlerësohen deri në vitin 2029.

