Gjermania po përgatitet të marrë një rol udhëheqës në mbrojtjen evropiane. Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, gjatë një konference për shtyp në Bruksel, njoftoi se Berlini planifikon të investojë 10 miliardë euro për zhvillimin dhe prodhimin e dronëve me rreze të gjatë veprimi, në mbështetje të ushtrisë ukrainase.
“Gjermania po ofron 400 milionë euro për blerjen e dronëve me rreze të gjatë veprimi. Kjo e ndihmon Ukrainën të synojë infrastrukturën logjistike ruse pas vijës së frontit. Po shohim rezultate pozitive,” deklaroi Pistorius.
Ai theksoi se për Vladimir Putinin “po bëhet gjithnjë e më e vështirë ta paraqesë këtë luftë si një sukses” dhe se mbështetja për Kievin do të vazhdojë edhe në vitin 2025.
Sipas ministrit, Gjermania do ta ndihmojë Ukrainën me gjithsej 9 miliardë euro vitin e ardhshëm, prej të cilave 2 miliardë euro janë të destinuara për një paketë të re ndihme ushtarake, që përfshin sisteme moderne mbrojtjeje nga raketat, radarë të gjeneratës së ardhshme dhe municione.
“Ne po marrim pjesë në iniciativën PURL me një investim prej 500 milionë dollarësh. Forcimi i mbrojtjes ajrore të Ukrainës dhe masat kundër dronëve do të mbeten një përparësi absolute,” shtoi Pistorius, duke theksuar se Berlini është i gatshëm të udhëheqë përpjekjet e Bashkimit Evropian për siguri kolektive.