Kancelari gjerman Friedrich Merz ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, me synimin për të shtyrë përpara rinisjen e dërgesave të armëve në Ukrainë, në një kohë kur vendi ballafaqohet me sulme ajrore të intensifikuara nga Rusia. Lajmi u konfirmua nga zëdhënësi i qeverisë gjermane, Stefan Kornelius, i cili theksoi se telefonata u bë me iniciativën e vetë kancelarit Merz.
Sipas Korneliusit, biseda kishte në fokus mbrojtjen ajrore të Ukrainës, veçanërisht në dritën e pezullimit të një pakete ndihme ushtarake amerikane që përfshinte edhe sistemet e avancuara Patriot. Kjo ndihmë ishte parashikuar gjatë mandatit të ish-presidentit Joe Biden.
Gazeta BILD dhe agjencia Bloomberg raportojnë se Gjermania ka ofruar të mbulojë tërësisht koston e dy sistemeve Patriot, që arrin rreth 500 milionë euro, nëse Uashingtoni jep dritën e gjelbër për dorëzimin e tyre në Ukrainë. Sipas këtyre burimeve, propozimi zyrtar gjerman i është dorëzuar Sekretarit Amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, disa javë më parë.
Revista Der Spiegel, që e raportoi e para bisedën mes Merz dhe Trump, shkruan se presidenti amerikan nuk dha ndonjë angazhim konkret, por vetëm premtoi “ta shqyrtonte propozimin”.
Sulme të reja ruse dhe reagimi i Kievit
Në të njëjtën kohë, presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky ka zhvilluar një bisedë tjetër telefonike me presidentin Trump, pas sulmeve të reja ajrore të përmasave të mëdha në Kiev, të cilat autoritetet ukrainase i cilësuan si ndër më të rëndat që nga nisja e luftës. Zelensky deklaroi se kanë rënë dakord për bashkëpunim në forcimin e mbrojtjes ajrore, por nuk dha detaje të tjera.
Presidenti amerikan ka zhvilluar edhe një bisedë tjetër telefonike, këtë herë me presidentin rus Vladimir Putin. Pas bisedës, Trump u shpreh se “nuk pati ndonjë përparim konkret” në drejtim të paqes.
Kancelari gjerman Merz, përmes zëdhënësit të tij Kornelius, lidh drejtpërdrejt këto komunikime me përshkallëzimin e sulmeve ruse.
“Ka një model të qartë në veprimet e presidentit rus: pas çdo telefonate ndodhin sulme më të ashpra. Ajo që ndodhi mbrëmë vetëm sa përforcon këtë bindje,” – theksoi Kornelius, duke iu referuar sulmit në Kiev.
Presidenti Zelensky, nga ana e tij, deklaroi se “koha kur ndodhën sulmet tregon mungesën e vullnetit të Moskës për të ndalur luftën”.
Vizitë e nivelit të lartë në SHBA
Në vijim të këtyre zhvillimeve, javën e ardhshme pritet që ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, të vizitojë Uashingtonin, ku do të takohet me homologun amerikan Pete Hegseth për të diskutuar hapat e mëtejshëm në mbështetje të Ukrainës.
Kërkesa e Gjermanisë për të siguruar sistemet Patriot për Kievin pritet të jetë në qendër të këtyre bisedimeve strategjike mes dy aleatëve transatlantikë.