Parlamenti gjerman ka miratuar një hap të ri në modernizimin e ushtrisë. Komisioni i Buxhetit i Bundestag ka dhënë dritën e gjelbër për blerjen e dronëve luftarakë të njohur si “dronë kamikaze” për Bundeswehr.
Sipas vendimit, fillimisht do të blihen sisteme armësh nga kompanitë Helsing dhe Stark Defence, me një vlerë rreth 540 milionë euro. Megjithatë, deputetët kanë vendosur kufizime të qarta: shpenzimet totale për këtë projekt nuk duhet të kalojnë 2 miliardë euro, shumë më pak se 4.3 miliardë euro që kishte parashikuar fillimisht Ministria e Mbrojtjes.
Ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius, e cilësoi vendimin si një hap të rëndësishëm për forcimin e kapaciteteve ushtarake të vendit. Ai theksoi se Gjermania po mëson edhe nga përvoja e luftës në Ukrainë, ku dronët kamikaze janë bërë armë kyçe në goditjet precize ndaj objektivave.
Si funksionojnë dronët “kamikaze”
Këta dronë janë mjete ajrore pa pilot që kontrollohen nga distanca dhe janë të pajisur me koka shpërthyese. Ndryshe nga dronët tradicionalë që lëshojnë raketa, droni kamikaze përplaset drejtpërdrejt me objektivin dhe shpërthen, duke shkatërruar objektivin me saktësi të lartë.
Teknologjia e tyre lejon që:
-
të qëndrojnë në ajër për një kohë të gjatë duke kërkuar objektivin;
-
të drejtohen nga operatorë në distancë;
-
të përdoren kundër mjeteve ushtarake, bazave apo sistemeve të mbrojtjes ajrore.
Vendosja e parë në NATO
Sipas planit të Berlinit, dronët e parë do të përdoren nga brigada gjermane e vendosur në Lituania, pjesë e forcave të NATO në krahun lindor të aleancës.
Këto sisteme pritet të bëhen operative në vitin 2027, ndërsa seria e parë përfshin disa mijëra dronë, me synimin që në të ardhmen të blihet një numër edhe më i madh.
Ndërkohë, në projekt mund të përfshihet edhe gjiganti gjerman i industrisë së mbrojtjes Rheinmetall si furnizues i mundshëm i teknologjisë ushtarake.

