Bundestagu gjerman ka miratuar një paketë të gjerë reformash pensionale, një nga më të rëndësishmet e viteve të fundit, e cila pritet të ndikojë drejtpërdrejt edhe mijëra shqiptarë të mërgatës që jetojnë e punojnë në Gjermani. Paketa synon të stabilizojë sistemin e pensioneve, të rrisë të ardhurat e pensionistëve dhe të njihet më mirë puna e bërë nga prindërit në rritjen e fëmijëve.
Reforma garanton se niveli i pensioneve – aktualisht 48% e pagës mesatare – do të mbetet i pandryshuar deri në vitin 2031. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në periudhën kur brezi i madh i “baby boomer”-ave hyn në pension. Falë këtij mekanizmi, një pension prej 1,500 eurosh do të jetë rreth 35 euro më i lartë çdo muaj nga korriku 2031, ose 420 euro më shumë në vit. Për më shumë se 50% të të moshuarve që mbështeten vetëm në pensionin shtetëror – përfshirë edhe një pjesë të mirë të mërgimtarëve shqiptarë – ky stabilitet është jetik.
Ndërkohë, kontributet e pensioneve pritet të rriten gradualisht nga viti 2027, duke shkuar në 20% deri në vitin 2030 dhe rreth 21.4% në vitin 2040. Këto rritje lidhen me plakjen e popullsisë dhe presionin mbi sistemin e sigurimeve shoqërore.
Për t’i ardhur në ndihmë punëtorëve, qeveria po zgjeron edhe pensionet e kompanive. Aktualisht rreth 18 milionë punonjës – përfshirë shumë shqiptarë në sektorë si industria, gastronomia dhe ndërtimi – kanë të drejtë për kursime shtesë pensionale përmes punëdhënësve. Reforma synon ta zgjerojë më tej këtë mundësi, sidomos për ata me paga më të ulëta.
Një lajm shumë i mirë për prindërit: për fëmijët e lindur para 1992-shit, do të llogariten gjashtë muaj shtesë kujdesi, duke e çuar totalin në tre vite, çka rrit automatikisht pensionin e ardhshëm. Ky ndryshim hyn në fuqi në vitin 2027 dhe pritet të jetë veçanërisht i rëndësishëm për shumë nëna shqiptare që kanë jetuar vite me radhë në Gjermani.
Ndryshime të rëndësishme vijnë edhe për pensionistët që duan të vazhdojnë punën. Nga 1 janari 2026, ata do të mund të fitojnë deri në 2,000 euro në muaj pa paguar taksa, një lehtësim i madh që pritet të ndikojë pozitivisht edhe tek mërgimtarët e moshuar që kryejnë punë të pjesshme.
Gjithashtu, fëmijët nga mosha 6 deri në 18 vjeç do të përfitojnë kursime automatike prej 10 eurosh në muaj për pensionin e tyre të ardhshëm – një skemë që, nëse miratohet, do t’i shërbejë edhe brezit të dytë të shqiptarëve të lindur në Gjermani.
Në dy javët e ardhshme do të formohet një komision i ri për reformën e pensioneve që pritet të trajtojë edhe çështje të ndjeshme si rritja e moshës së pensionit pas 67 vjeç dhe zgjerimi i sistemit të detyrueshëm edhe tek kategori të tjera profesionale.
Këto ndryshime prekin drejtpërdrejt edhe komunitetin shqiptar në Gjermani, i cili është një nga komunitetet më të mëdha punëtore në vend. Reforma do të ndikojë në mënyrën si kontribuojnë, kur dalin në pension dhe sa përfitojnë në vitet e pleqërisë.
Mërgata jonë në Gjermani, e cila i mban gjallë me remitenca ekonomikisht Kosovën, Shqipërinë dhe trojet shqiptare, tani do të përballet me një sistem më të qartë, më të qëndrueshëm dhe potencialisht më përfitues.
🔹 Më shumë stabilitet për pensionet
🔹 Më shumë përfitime për punëtorët
🔹 Më shumë lehtësime për punonjësit e moshuar
🔹 Më shumë njohje për prindërit
🔹 Më shumë siguri për mërgatën shqiptare që ka dhënë gjithmonë kontribuues të mëdhenj në tregun gjerman të punës
Reforma konsiderohet si një hap i madh drejt modernizimit të sistemit të pensioneve në një ndër vendet më të rëndësishme ku mërgimtarët tanë jetojnë dhe ndërtojnë të ardhmen e tyre.

