Gjermania, një nga vendet me hapësirën ajrore më të ngarkuar në botë, po harton plane emergjente për ta mbyllur atë brenda minutave në rast të një sulmi ndaj vendit ose ndaj ndonjë aleati të NATO-s. Paralajmërimi vjen nga DFS, autoriteti gjerman i kontrollit të fluturimeve, i cili thekson se aviacioni civil është “shumë naiv” për rreziqet që po afrohen.
Arndt Schoenemann, drejtori ekzekutiv i DFS, tha për Euronews se Gjermania po punon me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Transportit për të krijuar një plan të detajuar reagimi ushtarak-ajror.
“Ka tre nivele mbrojtjeje: kërcënimi, aktivizimi i Nenit 5 të NATO-s dhe mbrojtja e vendit. Për secilin nivel po zhvillojmë kërkesa specifike”, deklaroi ai.
Alarmi i Berlinit: Rusia mund të testojë NATO-n deri në fund të dekadës
Gjermania ka nisur rritje masive të shpenzimeve të mbrojtjes pas pushtimit rus të Ukrainës dhe paralajmërimeve të inteligjencës se Moska mund të provojë të godasë një shtet të NATO-s brenda disa viteve të ardhshme.
Berlini synon të ndërtojë forcat e armatosura më të forta në Evropë, ndërsa NATO tashmë ka miratuar plane rajonale për mobilizim të shpejtë në rast agresioni.
Aviacioni civil nuk është gati
Siç shpjegon DFS, linjat ajrore dhe aeroportet nuk janë të vetëdijshëm se hapësira ajrore mund të ripërcaktohet ose të mbyllet krejtësisht për t’u liruar korridoret ushtarake.
“Linjat ajrore janë shumë larg së menduari për një skenar të tillë”, paralajmëroi Schoenemann.
DFS po mban seanca informimi për operatorët civilë dhe po rinovon rrjetin e radarëve, një investim që pritet të bashkëfinancohet nga fondet e mbrojtjes së BE-së.
Rritja e incidenteve me dronë alarmon Gjermaninë
Sulmet hibride dhe inkursionet me dronë janë duke u bërë problem serioz. Deri në fund të tetorit janë raportuar mbi 190 raste dronësh pranë aeroporteve gjermane — shumë më tepër se gjatë gjithë vitit 2024.
Aeroporti i Mynihut dhe ai i Berlinit janë detyruar disa herë të ndërpresin operacionet për shkak të dronëve të paidentifikuar.
DFS po zhvillon sisteme të reja për integrimin e trafikut të dronëve dhe për detektimin e dronëve “jo bashkëpunues”, të cilët modifikohen me softuer ilegal dhe nuk shfaqen në radarë.
Schoenemann përjashtoi idenë e rrëzimit të dronëve pranë aeroporteve, duke paralajmëruar se mund të rrezikohet trafiku ajror në fluturim.

