Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme, duke pezulluar të gjitha veprimet për formimin e Qeverisë së Kosovës deri më 30 shtator 2025. Vendimi erdhi pas kërkesës së parashtruar nga Igor Simić dhe nëntë deputetë të tjerë të Kuvendit, të cilët kontestuan kushtetutshmërinë e procesverbaleve dhe vendimeve të marra në seancat e 26 dhe 28 gushtit.
Çfarë kërkuan deputetët?
Deputetët parashtrues pretendojnë se gjatë seancave të fundit janë shkelur disa nene të Kushtetutës, përfshirë:
- Neni 31 (E drejta për gjykim të drejtë),
- Neni 24 (Barazia para ligjit),
- Neni 67 (Zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit).
Ata argumentojnë se vendimet janë marrë në kundërshtim edhe me aktgjykime të mëhershme të Kushtetueses (KO124/25, KO193/25, KO196/25), si dhe me Rregulloren e Kuvendit. Sipas tyre, nëse nuk vendosej masa e përkohshme, ekzistonte rreziku që të formohej një qeveri kundërkushtetuese.
Çfarë vendosi Gjykata?
Kolegji shqyrtues i përbërë nga gjyqtarët Nexhmi Rexhepi (kryesues), Bajram Ljatifi dhe Remzije Istrefi-Peci, shqyrtoi kërkesën më 4 shtator dhe vendosi njëzëri që:
- të ndalohen të gjitha procedurat për formimin e Qeverisë,
- masa të vlejë nga 5 shtatori deri më 30 shtator 2025,
- vendimi të publikohet në Gazetën Zyrtare.
Konteksti politik
Kriza lidhet me dështimet e njëpasnjëshme për zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, pas seancës konstituive të nisur në prill 2025. Vetëm më 26 gusht, deputeti Dimal Basha u zgjodh kryetar i Kuvendit me 73 vota, por procesi për zgjedhjen e nënkryetarëve, sidomos nga komuniteti serb, u shoqërua me bllokada, propozime të përsëritura dhe hedhje shorti.
Çfarë pritet më tej?
Gjykata do të vlerësojë kushtetutshmërinë e vendimeve të Kuvendit dhe deri në përfundim të shqyrtimit, asnjë hap për formimin e Qeverisë nuk mund të ndërmerret. Ky vendim pritet të ketë pasoja të drejtpërdrejta në afatet kushtetuese dhe dinamiken politike në vend.
🔗 Njoftim për Vendim për masë të përkohshme në rastin KO265/25