Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë pritet të shpallë sot vendimin për padinë e ish-kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ka kundërshtuar shkarkimin nga detyra.
Në një njoftim për mediat, Gjykata bëri të ditur se në orën 17:00 kryetarja e saj, Holta Zaçaj, do të mbajë një komunikim publik me gazetarët, ku do të prezantojë vendimmarrjen për çështjen “me kërkues Erion Veliaj”, që lidhet me shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij nga detyra e kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
Veliaj ka kërkuar gjithashtu që Gjykata Kushtetuese të shpallë antikushtetues dekretin e Presidentit Bajram Begaj, i cili ka caktuar 9 nëntorin si datë për zgjedhjet e reja në Bashkinë e Tiranës.
Sipas pretendimeve të tij, mungesa për më shumë se tre muaj në detyrë ishte e justifikuar dhe nuk përbën arsye ligjore për shkarkim.
Vendimi i sotëm pritet të përcaktojë nëse Veliaj do të rikthehet në detyrë apo nëse procesi zgjedhor për pasuesin e tij do të vijojë sipas dekretit të Presidentit.

