Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, ka refuzuar kërkesën e Besim Kelmendit për caktimin e masës së përkohshme të sigurisë dhe pezullimin e vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), me të cilin ai ishte shkarkuar nga pozita e Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit. Vendimi është marrë më 4 dhjetor nga gjyqtarja Valbona Gjonbalaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kelmendi, përmes avokatit Flakron Sylejmani, kishte kërkuar anulimin e vendimit të KPK-së dhe rikthimin e tij në detyrë deri në vendimin përfundimtar të gjykatës. Ai argumentonte se vendimi ishte marrë pa kuorum dhe pa respektim të procedurave ligjore dhe se shkarkimi i tij i shkaktonte dëme të rënda, përfshirë dëme reputacioni dhe profesional, si dhe pasiguri institucionale.
Nga ana tjetër, KPK-ja kërkoi refuzimin e kërkesës, duke theksuar se pozita e U.D. Kryeprokurorit është funksion përkohës dhe largimi nga kjo pozitë nuk cenon statusin profesional të Kelmendit. Po ashtu, KPK-ja argumentoi se pezullimi i vendimit do të dëmtonte interesin publik dhe funksionimin e qëndrueshëm të Prokurorisë së Shtetit.
Gjykata theksoi se për caktimin e masës së përkohshme duhet të ekzistojnë dy kushte: dëmi i rëndë dhe i pakthyeshëm për paditësin dhe mungesa e cenimit të interesit publik. Sipas vendimit, Kelmendi nuk arriti të provojë dëmin e pakthyeshëm, ndërsa pretendimet për dëme reputacioni apo profesional u konsideruan të paargumentuara. Gjykata konkludoi se pezullimi i vendimit do të cenonte interesin publik dhe do të ndërpriste proceset e rregullta të sistemit prokurorial.
Kërkesa e Kelmendit për masë të përkohshme sigurie u refuzua, ndërsa pala paditëse ka të drejtë ankese brenda 7 ditëve në Gjykatën e Apelit në Prishtinë.

