Gjykata Supreme e Dhomave të Specializuara në Hagë ka hedhur poshtë kërkesën e ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, për lirim të përkohshëm.
Sipas njoftimit zyrtar të gjykatës, më 19 dhjetor Paneli i Gjykatës Supreme ka refuzuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, e cila ishte dorëzuar në mënyrë konfidenciale gjatë muajit nëntor.
Kërkesa e Veselit lidhej me vendimin e Panelit të Gjykatës së Apelit të 13 gushtit të këtij viti, përmes të cilit ishte konfirmuar vendimi i Trupit Gjykues për rrëzimin e kërkesës së tij për lirim të përkohshëm.
Me këtë vendim, Gjykata Supreme ka lënë në fuqi të gjitha vendimet e mëparshme, duke vlerësuar se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për lirimin e përkohshëm të ish-kryekuvendarit.
Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndodhen në paraburgim në Hagë prej disa vitesh, ndërsa proceset gjyqësore ndaj tyre vazhdojnë. Vendimi i fundit i Gjykatës Supreme e mbyll përfundimisht këtë përpjekje të Veselit për lirim të përkohshëm.
