Rrjeti rifilloi aktivitetin këtë verë pasi krerët u kthyen nga Shqipëria
Policia spanjolle ka shkatërruar një grup të fuqishëm kriminal shqiptar që kultivonte kanabis në magazina të mbyllura në provincën e Zaragozës, pas një operacioni të gjerë ku u arrestuan nëntë persona, të moshës 21 deri në 46 vjeç.
Banda akuzohet për kultivim dhe trafik droge, vjedhje masive të energjisë elektrike, pjesëmarrje në organizatë kriminale, si dhe falsifikim dokumentesh për dy prej të arrestuarve. Gjatë aksionit, policia sekuestroi mbi 2 mijë bimë kanabis dhe 20 kilogramë drogë gati për treg.
Vetëm energjia elektrike e vjedhur për të mbajtur në funksion plantacionet—pajisjet e ndriçimit, ventilimit dhe ngrohjes—kapte vlerën e 210 mijë eurove, ekuivalente me konsumin vjetor të më shumë se 250 familjeve.
Si funksiononte rrjeti
Hetimet nisën në shtator 2024, pas dyshimeve për disa magazina të shndërruara në “shtëpi bari”. Rrjeti ishte pezulluar për pak kohë pasi drejtuesit u kthyen në Shqipëri, por rifilloi aktivitetin në verën 2025, duke përshtatur sërish magazina industriale për kultivim.
Më 2 dhjetor u kryen tetë kontrolle të njëkohshme në Cuarte de Huerva, San Mateo de Gállego, La Puebla de Alfindén, Zuera dhe në banesa në Zaragozë. Në objektet e bastisura u gjetën plantacione të sofistikuara me:
-
Ndriçim artificial profesional
-
Panelet elektrike të lidhura ilegalisht me rrjetin publik
-
Dhoma të ndara sipas fazës së rritjes së bimës
Policia zbuloi se disa anëtarë jetonin brenda magazinave, 24 orë në ditë, për të kujdesur bimët dhe për të shmangur zbulimin.
Struktura e organizatës
Sipas hetimeve, grupi kishte hierarki të qartë:
-
Kreu i bandës, banues në Zaragozë, merrej me logjistikën, financat dhe drejtimin e operacionit.
-
Bashkëpunëtorët transportonin materialet dhe shpërndanin drogën.
-
Kujdestarët e plantacioneve mbikëqyrnin rritjen dhe ruanin kanabisin.
Për të fshehur gjurmët, magazinat dhe automjetet merren me qira në emër të personave të tretë, duke krijuar fasadën e bizneseve të rregullta.
Operacioni konsiderohet një prej goditjeve më të mëdha ndaj rrjeteve shqiptare të kanabisit në Spanjë gjatë viteve të fundit.

