Vjedhja e ndodhur të dielën në Muzeun e Luvrit është vlerësuar në 88 milionë euro, ka konfirmuar prokurorja e Parisit, Laure Beccuau, duke e cilësuar këtë një nga grabitjet më të mëdha të dekadës në Francë.
“Shuma e dëmit është vlerësuar nga kujdestari i muzeut në 88 milionë euro,” deklaroi Beccuau për radion RTL, por shtoi se “nuk mund të krahasohet me dëmin historik që është shkaktuar.”
Hajdutët përdorën një platformë ngritëse të marrë me qira të rreme
Hetimet e para kanë zbuluar se autorët e grabitjes përdorën një platformë ngritëse, të marrë përmes një qiraje të rreme, nën pretekstin e një zhvendosjeje muzeale.
Një nga punonjësit e kompanisë që e kishte dhënë me qira pajisjen u përball me dy persona kërcënues, pa pasur dhunë fizike, por në një situatë “shumë alarmante”, sipas kallëzimit të bërë nga kompania.
Bizhuteri të Kurorës Mbretërore në shënjestër
Në grabitje janë marrë tetë bizhuteri që i përkisnin Kurorës Mbretërore Franceze, ndër to edhe një kurorë e mbretëreshës Maria Amalia dhe një tjetër e mbretëreshës Hortense.
Ministria Franceze e Kulturës ka publikuar një listë të plotë të sendeve të vjedhura, të cilat u rrëmbyen brenda shtatë minutave nga grupi i armatosur.
Katër persona të identifikuar, hetimet vijojnë
Prokuroria e Parisit ka identifikuar katër persona të pranishëm në vendngjarje, por nuk përjashton mundësinë e përfshirjes së bashkëpunëtorëve të tjerë.
Aktualisht po kryhen analiza të gjurmëve të gjetura në vendin e ngjarjes, me synimin për të identifikuar autorët.
Për hetimin është angazhuar njësia e specializuar JIRS, ndërsa rreth 100 hetues po punojnë për zbardhjen e plotë të rastit.
Prokurorja: “Shpresojmë të mos shkatërrohen bizhuteritë”
“Hajdutët nuk do të përfitojnë nga kjo shumë, nëse u shkon mendja e keqe t’i shkrijnë bizhuteritë,” paralajmëroi Beccuau, duke shtuar:
“Mund të shpresojmë që do ta mendojnë mirë dhe nuk do t’i shkatërrojnë pa arsye këto bizhuteri me vlerë historike.”
Një humbje e madhe kulturore për Francën
Autoritetet franceze e kanë cilësuar grabitjen si një goditje të rëndë për trashëgiminë kulturore, ndërsa vlera artistike dhe simbolike e bizhuterive të vjedhura tejkalon shumë vlerën monetare.
Hetimet pritet të zgjasin disa javë, ndërsa Muzeu i Luvrit ka rritur ndjeshëm masat e sigurisë pas incidentit.

