E ardhmja e Granit Xhakës te kampionët e Bundesligës, Bayer Leverkusen, është vënë në pikëpyetje. Mesfushori me përvojë, i cili në qershor mbushi 32 vjeç, ka lënë të hapur mundësinë për një largim të mundshëm nga “BayArena” gjatë kësaj vere.
Vetë Xhaka ka pranuar se dëshiron të eksplorojë opsione të reja në karrierën e tij, ndërkohë që Leverkusen ka vendosur një çmim transferimi që luhatet nga 8 deri në 15 milionë euro.
Fillimisht, interesim për shërbimet e tij kishte shfaqur Juventusi, me raportime që sugjeronin një pagë prej rreth 3.5 milionë eurosh në sezon për mesfushorin zviceran me prejardhje shqiptare. Por, duket se skena e merkatos ka marrë një kthesë të re.
Sipas asaj që raporton platforma gjermane “Fusbal Transfers”, klubi i Ligës Pro Saudite, Neom SC, ka hyrë seriozisht në garë për të siguruar shërbimet e Xhakës, duke e renditur atë si objektiv të parë për repartin e mesfushës. Një kalim në Arabinë Saudite pritet të shoqërohet me një ofertë financiare shumë më të majme sesa ajo e bardhezinjve nga Torino.
Ende nuk ka një vendim përfundimtar nga vetë lojtari, por tendenca e fundit e transferimeve të emrave të mëdhenj në Arabinë Saudite – përfshirë yje si Benzema, Neymar e Kante – e bën një kalim të tillë gjithnjë e më të mundshëm.
Për momentin, mbetet për t’u parë nëse Granit Xhaka do të jetë emri i radhës që do t’i bashkohet elitës së futbollistëve që kanë zgjedhur Lindjen e Mesme për fazën e re të karrierës së tyre. Interesi nga Neom SC është i konsiderueshëm, dhe dita ditës, presioni mbi vendimin e Xhakës vetëm sa po shtohet.