Sekretari i Përgjithshëm i Organizata e Kombeve të Bashkuara, António Guterres, ka shprehur shqetësim të thellë për përkeqësimin e situatës humanitare në Liban, duke paralajmëruar për rrezik të madh për civilët.
Gjatë një konference për media në Bejrut, Guterres tha se është “thellësisht i trishtuar” nga gjendja që pa në zonat ku janë strehuar qindra mijëra persona të zhvendosur, si dhe në spitalet ku po trajtohen civilë të plagosur nga sulmet e Izraelit.
Paralajmërim për përshkallëzim të rrezikshëm
Shefi i OKB-së theksoi se situata në jug të Libanit është jashtëzakonisht e rrezikshme.
“Jugu rrezikon të shndërrohet në shkretëtirë. Bejruti Jugor, që është nën urdhra të gjera evakuimi nga Izraeli, rrezikon të bombardohet deri në shkatërrim të plotë,” tha ai.
Sipas Guterres, populli libanez nuk është përgjegjës për konfliktin.
“Populli libanez nuk e zgjodhi këtë luftë; ata u tërhoqën në të,” theksoi ai.
Thirrje për diplomaci dhe ndalje të luftimeve
Guterres u bëri thirrje të gjitha palëve të përfshira në konflikt që të ndalin menjëherë luftimet.
“Mesazhi im është i qartë: ndaloni luftimet dhe bombardimet. Nuk ka zgjidhje ushtarake; vetëm diplomacia, dialogu dhe zbatimi i Kartës së OKB-së mund të sjellin zgjidhje,” deklaroi ai.
Ai shtoi se mbrojtja e civilëve duhet të jetë prioritet absolut dhe se duhet të respektohen sovraniteti dhe integriteti territorial i Libanit.
“Civilët duhet të mbrohen në çdo kohë. Lufta duhet të ndalet,” përfundoi Guterres.

