Guvernatori i BQK-së: Deficiti tregtar po e pengon rritjen ekonomike

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, thotë se deficiti tregtar është duke ndikuar negativisht në aktivitetin ekonomik të Kosovës, ashtu si edhe inflacioni i lartë.

Përderisa norma e inflacionit, sipas tij, pritet të bjerë në pjesën e dytë të vitit 2023, Mehmeti thotë se duhet të punohet më shumë që struktura e ekonomisë të ndërrohet në favor të ndërmarrjeve prodhuese.

Kosova varet skajshmërisht nga produktet e importuara, ndërsa vlera e eksporteve të saj është shumëfish më e vogël.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Mehmeti flet edhe për valutën kombëtare dhe thotë se BQK-ja i ka ndërmarrë të gjitha masat për zbutjen e efekteve negative të mospasjes së saj.

“Është një historik për çështjen e valutës. Ju e dini se menjëherë pas luftës, kemi përdorur markën gjermane si valutë zyrtare, përmes një rregulloreje të UNMIK-ut [misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë]. Pastaj, në vitin 2002, kemi filluar të përdorim euron si valutë zyrtare.

Nëse i shohim përfitimet, kemi më shumë përfitime që e përdorim euron si valutë zyrtare. Të metat ose efektet negative të mospasjes së valutës [kombëtare] jemi munduar t’i eliminojmë përmes krijimit të Fondit Emergjent të Likuiditetit – që si BQK të luajmë rolin e ideatorit të fundit, ose të mbështesim.

Në masë të madhe, ne mund ta zbusim efektin negativ dhe nuk kemi arsye të mendojmë të kemi valutë në të ardhmen, duke pasur parasysh që efektet janë shumë pozitive që e kemi euron si valutë zyrtare. Mënyra se si e përdorim – dihet se e përdorim në mënyrë të njëanshme, sepse nuk jemi pjesë e Eurozonës”, tha ai.

Për krijimin e rezervave të arit, ai thotë se duhet të ketë vendim nga autoritetet qeveritare.

“Është fakt që ne nuk kemi rezerva të arit. Mundësia ekziston. Janë vendime, të cilat duhet të bëhen në të ardhmen në koordinim me Qeverinë. Ne, si BQK, mundësitë i kemi, jemi të gatshëm, kemi kapacitet. Vendin ku ta ruajmë, e kemi. Nga këndi ynë, si BQK, jemi të gatshëm për të bërë një [rezervë] të tillë, por këto janë vendime që duhet të merren edhe nga Qeveria”, tha Mehmeti.

Ndërkaq, se a ka BQK-ja portofol për të ruajtur arin dhe metalet e çmuara të klientëve privatë, guvernatori i BQK-së tha se kanë mundësi të tilla, por kjo nuk është e rregulluar me ligj dhe aktualisht nuk zbatohet në BQK.

Ai më tej tha se deri më tani nuk ka pasur ndonjë interesim të qytetarëve për këtë.

Next Post