Sinjali satelitor i transmetuesit shtetëror iranian Islamic Republic of Iran Broadcasting (IRIB) është ndërprerë për disa minuta, në një incident që dyshohet të jetë rezultat i një sulmi kibernetik.
Sipas raportimeve të publikuara nga Iran International, ndërhyrja shkaktoi ndërprerjen e përkohshme të programacionit normal në një nga kanalet e transmetuesit shtetëror.
Gjatë kësaj ndërhyrjeje, në ekran u transmetuan fjalime të presidentit amerikan Donald Trump dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, të drejtuara drejtpërdrejt popullit iranian. Pamjet u shoqëruan edhe me video të sulmeve ndaj disa objektivave në Iran, përfshirë edhe kompleksin ku ndodhej zyra e Udhëheqësit Suprem, Ali Khamenei.
Në një nga videot e transmetuara, Netanyahu dëgjohet duke u bërë thirrje iranianëve që të mos dorëzohen.
“Ky është një mundësi që ndodh një herë në një jetë. Mos u dorëzoni, sepse një mundësi e tillë nuk do të përsëritet”, thuhet në mesazhin e tij që u transmetua në kanalin 3 iranian.
Deri tani autoritetet iraniane nuk kanë dhënë një reagim zyrtar mbi incidentin dhe as detaje rreth origjinës së mundshme të hakerimit.
Ngjarja vjen në një moment tensioni të lartë në rajon, pas përshkallëzimit të konfliktit mes Iranit, Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit, i cili ka përfshirë sulme ushtarake dhe operacione kibernetike.

