Anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), njëherësh drejtor i Financave në Komunën e Gjakovës, Durim Halilaj, ka reaguar ndaj postimeve të fundit të eksponentëve të Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me rrugën “Bujar Roka”, duke i akuzuar për dezinformim dhe manipulim të opinionit publik.
Halilaj tha se pretendimet e VV-së nuk qëndrojnë dhe se projekti është zhvilluar në përputhje me procedurat ligjore, ndërsa akuzoi partinë në pushtet për përpjekje që, sipas tij, të mbulojë dështimet me sulme politike ndaj Komunës së Gjakovës.
“Kur mungojnë rezultatet në qeverisje, mbeten vetëm propaganda dhe dezinformimi. Faktet janë të qarta dhe nuk mund të zëvendësohen me postime politike”, ka theksuar Halilaj.
Ai shtoi se qytetarët e Gjakovës janë dëshmitarë të investimeve të realizuara në infrastrukturë dhe se projektet do të vazhdojnë pavarësisht, siç u shpreh ai, “tentativave për t’i politizuar ato”.
Halilaj u bëri thirrje eksponentëve të Vetëvendosjes që të ndalojnë, sipas tij, keqinformimin e qytetarëve dhe të përqendrohen në zgjidhjen e problemeve reale me të cilat përballen qytetarët.

