Hamasi ka refuzuar planin më të fundit të propozuar nga Shtetet e Bashkuara për një armëpushim në Gaza, pavarësisht se ai është miratuar tashmë nga Izraeli. Lëvizja islamiste palestineze e konsideron marrëveshjen të papranueshme, me arsyetimin se nuk garanton një kalim të sigurt nga një armëpushim i përkohshëm në një të përhershëm dhe nuk rikthen kushtet e mëparshme për ndihmën humanitare.
Një zyrtar i lartë i Hamasit deklaroi për BBC-në se propozimi bie në kundërshtim me marrëveshjet e mëparshme të arritura në negociatat me të dërguarin amerikan, Steve Witkoff. Sipas tij, mungesa e një zotimi të qartë për një zgjidhje të qëndrueshme dhe rivendosjen e fluksit të ndihmave humanitare – të cilat gjatë armëpushimit të fundit arrinin me qindra kamionë në ditë – e bën planin të papranueshëm.
“Ky propozim nuk përfshin garanci për një armëpushim të përhershëm dhe as nuk adreson plotësisht nevojat humanitare të Gazës,” u shpreh zëdhënësi i Hamasit, duke shtuar se lëvizja do të dorëzojë një përgjigje zyrtare me shkrim në ditët në vijim.
Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë konfirmoi se Izraeli e ka pranuar tashmë propozimin e paraqitur nga i dërguari i posaçëm Steve Witkoff.
Çfarë përmban propozimi i armëpushimit?
Sipas mediave izraelite, plani përfshin një armëpushim 60-ditor, gjatë të cilit palët do të negociojnë kushtet për një marrëveshje të përhershme. Gjatë kësaj periudhe:
-
Parashikohet lirimi i dhjetë pengjeve izraelite të gjalla, në dy faza.
-
Hamasi do të dorëzojë gjithashtu trupat e 18 pengjeve, në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë në Izrael.
-
Forcat izraelite do të tërhiqen, megjithëse nuk përcaktohet qartë territori apo shkalla e tërheqjes.
-
Ndihma humanitare do të shpërndahet nën koordinimin e OKB-së dhe organizatave ndërkombëtare.
Megjithatë, nuk përfshihet një mekanizëm për zgjatjen automatike të armëpushimit nëse negociatat zgjasin më shumë se 60 ditë – një tjetër pikë e kontestuar nga Hamasi.
Netanyahu: Lufta s’përfundon pa përmbushje të objektivave
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se lufta në Gaza nuk do të ndalet derisa të realizohen tre objektiva: lirimi i të gjithë pengjeve, çarmatosja ose shkatërrimi i Hamasit, dhe largimi nga vendi i udhëheqësve të saj.
Izraeli miraton zgjerimin më të madh të vendbanimeve në Bregun Perëndimor
Paralelisht me zhvillimet në Gaza, qeveria izraelite ka miratuar ndërtimin e 22 vendbanimeve të reja hebraike në Bregun Perëndimor, një vendim që është dënuar gjerësisht si një përshkallëzim i rrezikshëm.
Sipas organizatës izraelite Peace Now, e cila monitoron ndërtimin e vendbanimeve, ky është zgjerimi më i madh që nga nënshkrimi i Marrëveshjeve të Oslos në vitin 1993. Disa nga vendbanimet tashmë ekzistojnë si ndërtim i paligjshëm dhe tani do të legalizohen, ndërsa të tjera do të ndërtohen nga e para.
“Qeveria izraelite tregon qartë se zgjedh të thellojë pushtimin dhe të zbatojë aneksimin de facto në vend që të përpiqet për paqe,” deklaroi Peace Now.
Zëdhënësi i presidentit palestinez Mahmoud Abbas, Nabil Abu Rudeineh, e quajti këtë vendim një akt të papërgjegjshëm dhe provokues, që minon përpjekjet për një zgjidhje me dy shtete.
Vendbanimet hebraike në Bregun Perëndimor, Jerusalemin Lindor dhe Lartësitë e Golanit konsiderohen të paligjshme sipas të drejtës ndërkombëtare, dhe janë një nga pengesat kryesore për përparimin e procesit të paqes mes izraelitëve dhe palestinezëve.