Deklarata e Bedri Hamza për heqjen e masave nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës ka nxitur reagime politike, ku ai e cilëson këtë vendim si të vonuar, por të mirëpritur.
Sipas Hamzës, masat ndëshkuese të BE-së ishin pasojë e tensioneve dhe mungesës së koordinimit të qeverisë aktuale me aleatët ndërkombëtarë, por ai thekson se progresi nuk mund të arrihet përmes ndëshkimit, por vetëm përmes partneritetit dhe bashkëpunimit.
Ai argumenton se historikisht problem për Evropën ka qenë Serbia dhe jo Kosova, duke shtuar se vendi ynë ka qenë dhe mbetet faktor stabiliteti dhe sigurie në rajon. Për këtë arsye, sipas tij, masat e vendosura kanë goditur padrejtësisht qytetarët, ekonominë dhe perspektivën evropiane të Kosovës.
Hamza theksoi se qytetarët nuk duhet të paguajnë çmimin për, siç e quajti ai, papërgjegjësinë e qeverisë, duke kërkuar një qasje më të drejtë nga BE ndaj Kosovës.
Në fund, ai rikujtoi se Kosova është ndër vendet me qytetarët më proevropianë në Ballkanin Perëndimor dhe meriton mbështetje të plotë dhe një rrugë të qartë drejt integrimit evropian, pa pengesa që e vonojnë këtë proces.

