Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, ka dalë nga takimi me kreun e LVV-së, Albin Kurti. Hamza ka thënë se PDK këtë mandat do të jetë në opozitë dhe ka thënë se i dëshiron suksese Kurtit me partitë e tjera.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza ka deklaruar se partia që drejton do të mbetet në opozitë gjatë këtij mandati, pas takimit që zhvilloi me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti.
Duke folur para mediave, Hamza tha se takimi u zhvillua në një atmosferë korrekte, ndërsa ritheksoi se PDK gjatë fushatës zgjedhore ka garuar me një program të fokusuar në zhvillimin ekonomik, mirëqenien sociale, energjinë dhe infrastrukturën.
“Posa e përfunduam takimin me Kurtin. PDK në këto zgjedhje ka garuar me program dhe me prioritete që kanë të bëjnë me fushën e ekonomisë, mirëqenies sociale, si dhe me projekte në energji dhe infrastrukturë. Për t’i zbatuar këto prioritete, PDK nuk ka vija të kuqe dhe është e hapur për të biseduar për marrëveshje gjithëpërfshirëse politike”, tha Hamza.
Megjithatë, ai bëri të ditur se, bazuar në diskutimet e zhvilluara, qëndrimi i PDK-së mbetet i pandryshuar.
“Bazuar në bisedat që i kemi pasur, normalisht korrekte, qëndrimi ynë është që PDK në këtë mandat është e gatshme të jetë në opozitë dhe i dëshirojmë sukses Kurtit”, u shpreh ai.
Hamza theksoi gjithashtu se procesi i konstituimit të institucioneve kërkon bashkëpunim ndërmjet subjekteve politike, duke përmendur edhe çështjen e zgjedhjes së presidentit.
“Të gjitha partitë tjera nuk mund ta zgjedhin presidentin pa LVV-në. LVV-ja duhet të gjejë partnerë sipas nevojave dhe kritereve të tyre për t’i dhënë vendit institucione”, deklaroi ai.
Në fund, kreu i PDK-së tha se, pavarësisht pozicionit në opozitë, partia e tij do të mbështesë çdo nismë që është në interes të qytetarëve.
“Ne do të bashkëpunojmë me të gjitha forcat politike në Kuvend, në interes të qytetarëve të Kosovës”, përfundoi Hamza.
“E dini qëndrimin tim që ka qenë publik. PDK ka garuar për program e prioritet që kanë të bëjnë me ekonomi e pensione, projekte në energji. Ky ka qenë projekti jonë, që me bo punë si me përmirësu vendin e jetën. Pastaj kanë me u zbatu këto prioritete, kemi thënë se s’kemi vija të kuqe dhe se jemi të hapur për marrëveshje gjithpërfshirëse politike, duke i përfshirë të gjitha institucionet. Bazuar në bisedat korrekte, qëndrimi i jonë është që PDK për këtë mandat është parti në opozitë dhe ne i dëshirojmë sukses z. Kurti dhe të gjithë atyre që takohen e bisedojnë”.

