Hapet tenderi prej 38 milionë eurosh për magjistralen Prishtinë – Podujevë, punimet kishin nisur para 7 vjetëve

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu njofton se është hapur tenderi për ndërtimin e rrugës nacionale Prishtinë – Besi – Podujevë.

Aliu përmes një shkrimi në Facebook, thekson se vlera e projektit është 38 milionë euro.

“Plotë 38 milionë euro janë ndarë për përfundimin e rrugës nacionale Prishtinë – Besi – Podujevë. Tani pasi që ka përfunduar elaborati i shpronësimit dhe që kemi marrë deklaratën për disponueshmërinë e mjeteve nga MFPT-ja, sot është hapur afati për pranimin e tenderëve për ndërtimin e rrugës nacionale”, njofton Aliu.

Për vonesën e punimeve në këtë projekt, vitin e kaluar kishte raportuar Telegrafi me anë të një serie të shkrimeve që kanë pasur të bëjnë me disa nga projektet kryesore në vend.

Ai shton se pret që sa më shpejtë të vijojë puna për ndërtimin e kësaj rruge.

“Presim që sa më shpejtë të vijojë puna për ndërtimin e rrugës Prishtinë-Podujevë, një investim infrastrukturor me rëndësi madhore për të gjithë qytetarët e Kosovës, qarkullimin rrugor në përgjithësi, por dhe për zhvillimin ekonomik të vendit”, përfundon ai.

Punimet për zgjerimin e magjistrales Podujevë – Prishtinë, të cilat nisen para se më shumë se shtatë vjetëve nuk kanë përfunduar ende, ku sipas banorëve kjo zvarritje po iu shkakton vështirësi të mëdha.

Magjistralja Prishtinë – Podujevë ka filluar punimet në vitin 2016, ndërsa pretendimet ishin që kjo rrugë të kryhet brenda tri vjetëve. /Telegrafi/

Next Post