Kryetari i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje po ndjek një strategji të qartë lidhur me postin e presidentit.
Para nisjes së seancës së Kuvendit, Haradinaj tha se sipas tij, LVV po pret përfundimin e mandatit aktual, në mënyrë që ushtruese detyre e presidentit të bëhet kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Ai theksoi se kjo qasje tregon një planifikim të qëllimshëm në kohë nga ana e shumicës, duke shtuar se zhvillimet politike aktuale janë të lidhura drejtpërdrejt me këtë skenar.
Sipas Haradinajt, mungesa e lëvizjeve konkrete në këtë drejtim tregon se po pritet një moment i caktuar për të nisur proceset e mëtejshme politike, përfshirë konsultimet për zgjedhjen e presidentit të ri.
“Duket që në VV e kanë një plan në kohë. Ata po duan që kryetarja e Kuvendit të jetë ushtruese detyre e presidentit… çdo gjë fillon kur kemi ushtrues detyre të presidentit dhe pastaj mund të fillojnë konsultimet”, u shpreh ai.
Haradinaj shtoi se aktualisht nuk ka zhvillime të reja konkrete, duke nënvizuar se e gjithë situata lidhet me pritjen e datës 5 prill, kur sipas tij pritet të hapet rruga për këtë skenar politik.

