Vetëm pak orë pas shpalljes së datës së zgjedhjeve të parakohshme, kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka sqaruar qëndrimin e partisë së tij për koalicionet parazgjedhore. I ftuar në Klan Kosova, Haradinaj tha se Aleanca nuk do të hyjë në asnjë koalicion parazgjedhor, duke përjashtuar kategorikisht marrëveshje me PDK-në, LDK-në apo ndonjë parti tjetër.
Ai bëri të ditur se e vetmja mundësi teorike do të ishte një listë e përbashkët e gjithë opozitës, por shtoi se një gjë e tillë është praktikisht e pamundur në këtë fazë.
“Nuk bëjmë kësaj here koalicion me askënd. I vetmi ndryshim do të ishte një listë e përbashkët e krejt opozitës. Kam qenë ithtar edhe më herët, por s’ka pasur gatishmëri. Tani është vonë”, tha Haradinaj.
Me këtë deklaratë, AAK hyn në fushatën e 28 dhjetorit e vetme, ndërsa skena opozitare duket ende e fragmentuar dhe larg bashkërendimit për një front të përbashkët.

