Harry Bajraktari ka bërë të ditur se i ka dërguar një letër zyrtare Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, lidhur me procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Në reagimin e tij publik, Bajraktari thekson se, në cilësinë e qytetarit amerikan dhe përfaqësuesit të komunitetit shqiptaro-amerikan, ka shprehur shqetësimin për mënyrën se si po zhvillohet procesi ndaj ish-udhëheqësve të Kosovës.
Ai ka kërkuar që Shtetet e Bashkuara të angazhohen për të garantuar një gjykim të drejtë për Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe të tjerët që po mbahen në Hagë.
Bajraktari ka theksuar rëndësinë e rolit të SHBA-së në mbështetje të drejtësisë dhe të një procesi të paanshëm, duke nënvizuar se çështja ka peshë të veçantë për komunitetin shqiptaro-amerikan.
Deri më tani, nuk ka pasur reagim zyrtar nga Shtëpia e Bardhë lidhur me këtë letër.



