Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka nënshkruar Ligjin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA), i cili parasheh mbi 901 miliardë dollarë për programet e mbrojtjes, ndërsa në këtë dokument strategjik përfshihet edhe Kosova.
Lajmin e ka bërë të ditur Harry Bajraktari përmes një postimi në Facebook, duke e cilësuar këtë zhvillim si historik për marrëdhëniet Kosovë–SHBA. Sipas tij, përfshirja e Kosovës në këtë ligj dëshmon qartë rëndësinë që Shtëpia e Bardhë dhe Kongresi amerikan i japin sigurisë së Kosovës dhe stabilitetit të Ballkanit Perëndimor.
“Mesazhi është i qartë: paqja, stabiliteti dhe e ardhmja demokratike e Kosovës janë interes strategjik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës,” thekson Bajraktari.
Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, sipas tij, mbështet zgjerimin e NATO-s në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë edhe perspektivën e anëtarësimit të Kosovës në Aleancën Veriatlantike. Po ashtu, dokumenti mbështet qartë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë–Serbi dhe kërkon zbatim real të saj, duke konfirmuar se qëllimi final mbetet njohja reciproke.
Në ligj refuzohet çdo ide për ndarje, shkëmbim territoresh apo ndryshim kufijsh mbi baza etnike, ndërsa forcohet mbështetja amerikane për demokracitë e Ballkanit Perëndimor dhe për procesin e integrimit të tyre në Bashkimin Evropian.
Bajraktari vlerëson se kjo nuk është një veprim simbolik, por një garanci politike dhe strategjike për mbrojtjen e integritetit territorial, sovranitetit dhe orientimit pro-perëndimor të Kosovës nga aleati kryesor i saj.
Ai apelon që Kosova ta trajtojë me seriozitet këtë ligj dhe t’i përmbushë obligimet e saj, duke theksuar se kjo qasje e forcon pozitën ndërkombëtare të vendit dhe e afron Kosovën drejt anëtarësimit në NATO, si synim madhor për siguri, stabilitet dhe të ardhme euroatlantike.
Sipas tij, Kosova ka përpara një shans historik për të ecur përpara, e mbështetur në një partneritet të palëkundur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që kanë qenë dhe mbeten themeli i lirisë, pavarësisë dhe perspektivës demokratike të shtetit të Kosovës.

