Gazetari Baton Haxhiu ka deklaruar se një takim i zhvilluar gjatë ditës ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani ka përfunduar me tensione dhe përplasje verbale.
Duke folur në emisionin Pressing në Televizioni T7, Haxhiu tha se Kurti i ka kumtuar Osmanit një “lajm të vështirë” lidhur me zhvillimet për çështjen e zgjedhjes së presidentit.
Sipas tij, takimi mes tyre ka shënuar një përçarje të thellë politike.
“Askush s’po e përmend takimin e Vjosës me Albin Kurtin sot. Aty ka ndodhur çarja e madhe përfundimtare kur Albini ia kumton lajmin e zorshëm Osmanit. Takimi ka përfunduar edhe dhunshëm verbalisht”, deklaroi Haxhiu.
Ai nuk dha detaje të tjera për përmbajtjen e bisedës, por tha se informacionet i ka nga burime të tij.
Deri më tani nuk ka pasur reagim zyrtar nga Zyra e Kryeministrit apo Presidenca lidhur me këto pretendime.

