Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka deklaruar se vendi ndodhet në një krizë të brendshme politike, e cila sipas tij mund të thellohet edhe më shumë me procesin e zgjedhjes së presidentit të ri.
Në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Haziri theksoi se vendi është në momentet e fundit të mandatit të presidentes aktuale, duke paralajmëruar një fazë të re paqartësie politike.
“Jemi në krizë të brendshme, jemi mbyllur në krizën e brendshme politike. Jemi në orët e fundit të mandatit të presidentes dhe në fillim të një krize të re për zgjedhjen e presidentit, e cila do të prekë edhe ekzekutivin edhe jetën e qytetarëve”, u shpreh ai.
Haziri shtoi se, sipas tij, që nga viti i kaluar ka ekzistuar një synim i Lëvizjes Vetëvendosje që posti i ushtruesit të detyrës së presidentit të mbahet nga një përfaqësues i kësaj partie.
Ai përmendi edhe zhvillimet e mëhershme politike, duke theksuar se situata aktuale është rezultat i një procesi të planifikuar për të menaxhuar periudhën kur posti i presidentit mbetet vakant.
Sa i përket rolit të LDK-së, Haziri tha se partia e tij është treguar e gatshme për bashkëpunim në proceset politike, por sipas tij nuk ka pasur komunikim konkret nga kryeministri Albin Kurti për emra të përveçëm për postin e presidentit.
“Ne jemi ofruar për bashkëpunim, por nuk ka pasur diskutime konkrete për emra apo për ndarje të përgjegjësive në ekzekutiv”, theksoi ai.
Në fund, Haziri konfirmoi se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pritet të zhvillojë një takim me kryeministrin Albin Kurti të hënën, ku do të diskutohet për rifillimin e procesit të zgjedhjes së presidentit.
Situata politike mbetet e paqartë, ndërsa java e ardhshme pritet të jetë vendimtare për hapat e radhës në këtë proces. Burimi: KlanKosova-Rubikon.

