Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka deklaruar se liderët e partive kryesore politike në vend po angazhohen për të gjetur një emër konsensual për presidentin e ri të Kosovës.
Duke folur në emisionin “Debat Plus”, Haziri tha se në takimet e fundit mes liderëve politikë është diskutuar për një kandidat që mund të marrë mbështetje të gjerë politike në Kuvend.
Sipas tij, në takimin e fundit është shprehur gatishmëri nga tre liderët kryesorë – Albin Kurti, Bedri Hamza dhe Lumir Abdixhiku – për të punuar drejt një emri që do të ndërtohej përmes konsensusit politik.
“Ka një angazhim të përbashkët të tre liderëve kryesorë të partive politike që të angazhohen për një emër, i cili ndërtohet përmes një konsensusi të gjerë. Nëse kjo dështon, atëherë mund të ketë marrëveshje politike mes partisë së parë dhe një partie tjetër për të siguruar votat e nevojshme”, ka thënë Haziri.
Ai theksoi se qëllimi është që procesi i zgjedhjes së presidentit të mos rrezikohet dhe vendi të mos shkojë në zgjedhje të reja parlamentare.
Mandati i presidentes aktuale, Vjosa Osmani, përfundon më 4 prill, ndërsa afati i fundit për votimin e presidentit të ri në Kuvend është 4 marsi.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, për zgjedhjen e presidentit në dy raundet e para kërkohen të paktën 80 vota nga 120 deputetët e Kuvendit. Çdo kandidat duhet të ketë së paku 30 nënshkrime deputetësh për kandidim. Nëse në dy raundet e para nuk arrihen 80 vota, në raundin e tretë mjaftojnë 61 vota.
Në rast se presidenti nuk zgjidhet brenda afatit kushtetues, vendi do të detyrohet të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare brenda 45 ditësh. Burimi: Debat Plus

