Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se me hyrjen e stinës së dimrit rikthehet Programi për Subvencionimin e Faturave të Energjisë Elektrike për Familjet e Cenueshme, i cili është miratuar sot në mbledhjen e Qeverisë. Sipas Muratit, familjet që kanë qenë përfituese gjatë vitit të kaluar nuk kanë nevojë të ri-aplikojnë, përveç rasteve kur kanë ndryshuar vendbanimin apo orëmatësin e energjisë elektrike.
Programi synon të ndihmojë familjet me të ardhura mesatare më pak se 150 euro për anëtar në muaj dhe që posedojnë pasuri të paluajtshme me vlerë më të ulët se 100,000 euro.
Subvencionimi mbulon periudhën tetor–mars dhe paguhen direkt në llogarinë e konsumatorit pas leximit të orëmatësve, pra në muajin vijues.
Murati ka njoftuar se gjatë ditëve në vijim do të publikohen udhëzimet për aplikimet e reja dhe procedurat për ata që kanë ndryshuar orëmatësin.