TikTok është zotuar të përforcojë masat e mbrojtjes së fëmijëve pas një hetimi kanadez që zbuloi mbledhjen e të dhënave të ndjeshme personale nga qindra mijëra përdorues të mitur.
Hetimi, i zhvilluar nga komisioneri i privatësisë së Kanadasë, Philippe Dufresne, në bashkëpunim me autoritetet e privatësisë në Kebek, Kolumbinë Britanike dhe Alberta, konstatoi se përpjekjet e platformës për të kufizuar qasjen e fëmijëve nën 13 vjeç ishin të pamjaftueshme. Përveç kësaj, u zbulua se kompania kishte mbledhur informacione të ndjeshme dhe i kishte përdorur ato për marketing dhe shënjestrim të përmbajtjes online.
“TikTok mbledh sasi të mëdha të dhënash personale, përfshirë edhe nga fëmijët. Këto të dhëna përdoren për reklama dhe përmbajtje të shënjestruara, që mund të kenë pasoja të dëmshme, sidomos tek të rinjtë,” tha Dufresne gjatë një konference për shtyp.
Në përgjigje, TikTok pranoi të përmirësojë verifikimin e moshës dhe të rrisë transparencën mbi mënyrën se si përdoren të dhënat. Platforma do të ndalojë gjithashtu reklamuesit nga shënjestrimi i përdoruesve nën 18 vjeç, përveç bazave të përgjithshme si gjuha dhe vendndodhja, dhe do të ofrojë më shumë informacion mbi privatësinë për përdoruesit kanadezë.
Një zëdhënës i kompanisë tha se TikTok është i kënaqur që një pjesë e propozimeve të saj u miratuan nga autoritetet kanadeze, megjithëse kompania nuk pajtohet me disa gjetje të hetimit.
Kanadaja i bashkohet një liste në rritje të vendeve dhe institucioneve ndërkombëtare që po shqyrtojnë TikTok për arsye sigurie dhe privatësie. Bashkimi Evropian dhe SHBA tashmë kanë ndërmarrë masa kufizuese ndaj përdorimit të aplikacionit në pajisje zyrtare, ndërsa në Ottawa, qeveria ka urdhëruar pezullimin e disa operacioneve të TikTok në vend, vendim që kompania po e sfidon.