Ish-diplomati amerikan, Christopher Hill, ka vazhduar sot dëshminë e tij në Gjykatën Speciale në Hagë në procesin gjyqësor ndaj ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Ai tha se ka vendosur të dëshmojë pasi është i bindur se Thaçi nuk ka urdhëruar veprime të paligjshme dhe se po mbahet në burg për një periudhë të gjatë kohore.
Hill deklaroi para trupit gjykues se nuk ka pasur asnjëherë informacione apo arsye të besojë se Thaçi ka qenë i përfshirë në aktivitete të ndaluara gjatë kohës së luftës dhe pas saj.
“Koha nuk i shëron të gjitha plagët, por pas 25 vitesh është koha që gjërat të shikohen me qetësi. Nuk kam arsye të besoj se z. Thaçi ishte përfshirë në aktivitete të tilla, as nuk kam dëgjuar ndonjëherë që ai të ketë urdhëruar veprimtari të paligjshme. Siç e kuptoj unë, ai është mbajtur i burgosur për një kohë të gjatë për këtë çështje. Kur u kontaktova, ndjeva se duhej të thoja atë që dija për situatën,” deklaroi Hill.
Gjatë dëshmisë, ish-ambasadori foli edhe për Konferencën e Rambujes, duke e përshkruar si një proces tepër kompleks dhe të vështirë që nga fillimi. Sipas tij, delegacioni i Kosovës në Rambuje ishte i përbërë nga tre grupe që nuk funksiononin mirë së bashku: LDK-ja nën drejtimin e Ibrahim Rugovës, përfaqësuesit e UÇK-së dhe një grup intelektualësh të pavarur.
Sipas Hill, Ibrahim Rugova kishte një qasje më të rezervuar, UÇK ishte grup më aktiv, ndërsa intelektualët kontribuonin në aspektin arsyetues dhe historik. Ai theksoi se internacionalët shmangnin t’u referoheshin drejtuesve si “krerë delegacionesh” për të mos përkeqësuar ndarjet e brendshme.
Hill foli edhe për propozimin e Rambujes, duke thënë se ai parashikonte autonomi të plotë për Kosovën, mbrojtje nga NATO dhe heqjen e forcave serbe nga territori.
Ai konfirmoi se ka qenë momenti kur SHBA i ka kërkuar Hashim Thaçit të pranonte marrëveshjen, por sipas tij, Thaçi ishte i shqetësuar për faktin se pavarësia nuk ishte e definuar qartë në tekst.

