Ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj qeverisjes së kryeministrit Albin Kurti, duke e akuzuar për sjelljen e vendit në prag të një krize të thellë ekonomike.
Sipas saj, të dhënat zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) flasin për një normë inflacioni prej 4.3%, ndërsa për shportën bazë të konsumit inflacioni ka arritur në shifra dyshifrore. Deficiti tregtar është thelluar me ritme shqetësuese, investimet kapitale të nivelit qendror janë më të ulëtat ndonjëherë, ndërsa institucionet financiare po përballen me mungesë serioze likuiditeti.
Në të njëjtën kohë, sipas Bajramit, bizneset vitale në vend paguajnë deri në 300% më shumë për energjinë elektrike. Ajo theksoi se çmimet po rriten përditë, Kosova vazhdon të importojë pothuajse çdo gjë që konsumon, qeveria nuk po investon në ekonomi, dhe shumica e familjeve sot janë të mbërthyera në kredi.
“Ekonomia që kishim po shkatërrohet. Po sakrifikohet prodhimi vendor për të favorizuar tregtarët e energjisë, të cilët janë të afërt me Albin Kurtin”, u shpreh ajo.
Bajrami e akuzoi Kurtin edhe për faktorizimin e Listës Serbe, duke e bërë aleate në bllokimin e institucioneve për një pozitë që, sipas saj, është krejtësisht e parëndësishme në Kryesinë e Kuvendit.
“Qytetarët duhet ta dinë se çdo sfidë e tyre – nga çmimet e larta të ushqimit, faturat e fryra të energjisë, pagat e zhvlerësuara, mungesa e librave shkollorë e deri tek barnat në spitale dhe mungesa e perspektivës – ka një adresë: Qeveria Kurti, e cila pas pesë vitesh pushtet mbahet mend vetëm për korrupsion galopant”, tha Bajrami.
Ajo përfundoi deklaratën me tone të ashpra:
“Shkatërruesit dhe bllokuesit e kanë fundin afër.”

