Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër përmes një postimi në Facebook lidhur me gjendjen aktuale në sektorin e energjisë në vend, duke akuzuar institucionet për mungesë transparence dhe keqmenaxhim.
Sipas Bajramit, në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) aktualisht funksionon vetëm blloku A3, me kapacitet prej 110 megavatësh, ndërkohë që KOSTT nuk ka publikuar të dhënat e ngarkesës ditore – gjë që ajo e cilëson si mungesë transparence të qëllimshme.
“Asnjëri prej atyre që e quajnë veten ministra nuk thanë asnjë fjalë sot për energjinë. Sa po na kushton importi sot? Nga po vjen energjia? Kujt po ia paguajmë transportin?” – shkroi Bajrami.
Ajo pohon se energjia elektrike e importuar po vjen “kryesisht përmes Serbisë”, dhe këtë e lidh me çështje që, sipas saj, shkojnë përtej ekonomisë – përfshirë ndikimin e aktorëve të dyshimtë në tregun energjetik.
Bajrami theksoi se çmimi i importit arrin mbi 1 milion euro në ditë, duke paralajmëruar pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët përmes rritjes së faturave të energjisë dhe inflacionit të çmimeve të produkteve të tjera.
“Këto janë para të qytetarëve që do t’i paguajnë përmes faturave të rritura edhe më shumë të energjisë elektrike dhe përmes inflacionit për produktet tjera,” – theksoi ajo, duke përmendur edhe kompani të njohura për tregtim të energjisë si EFT dhe NOA.
Në fund të reagimit të saj, Bajrami kërkoi hetim të plotë nga Prokuroria Speciale për gjithë zinxhirin institucional të përfshirë në sektorin energjetik, duke e quajtur situatën një “mafie energjetike”.
Reagimi i saj vjen në një kohë kur vendi përballet me një ngërç institucional, pasi Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të konstituohet për më shumë se 35 herë – gjë që, sipas Bajramit, po e pamundëson edhe mbajtjen e debatit parlamentar mbi këtë krizë jetike.