Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kritikuar ashpër mënyrën e menaxhimit të buxhetit nga Qeveria Kurti, duke e cilësuar si një qeverisje pa asnjë trashëgimi zhvillimore.
Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, shpenzimet buxhetore arrijnë shumën prej 1,412 miliardë euro, prej të cilave:
-
391 milionë euro janë shpenzime të komunave,
-
ndërsa 1,021 miliardë euro janë shpenzime të nivelit qendror.
Nga kjo shumë, Bajrami thekson se ka një dallim të madh në përqindjen e investimeve kapitale:
-
Komunat kanë shpenzuar 105 milionë euro në investime kapitale, që përbëjnë 27% të buxhetit të tyre,
-
ndërsa niveli qendror ka dedikuar vetëm 138 milionë euro për investime kapitale, apo vetëm 13% të buxhetit të shpenzuar.
“Kurti në pesë vjet pushtet nuk ka lënë asnjë shenjë pozitive: asnjë rrugë, asnjë urë, asnjë hekurudhë, asnjë kapacitet energjetik. Trashëgimia e tij qeverisëse është baras me zero,” – ka deklaruar Bajrami.
Ajo ka shtuar se qytetarët e Kosovës nuk do të kenë mundësinë të përmendin ndonjë projekt të madh infrastrukturor që është ndërtuar gjatë qeverisjes së Albin Kurtit.
Deputetja ka përmendur gjithashtu se buxheti i paraparë për investime kapitale në vitin 2025 është 931 milionë euro, por në gjashtëmujorin e parë janë realizuar vetëm 243 milionë euro, prej të cilave 105 milionë euro janë realizuar nga komunat.