Deputetja e LDK-së, Hykmete N. Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj paralajmërimeve për rritje të çmimit të energjisë elektrike, duke akuzuar atë që e quajti “mafi energjetike” për pasurim në kurriz të qytetarëve.
Sipas saj, kërkesa e KESCO-s për rritje të çmimit nuk është e vetmja dhe as përfundimtare, pasi rritje kanë kërkuar edhe operatorë të tjerë të sektorit energjetik, përfshirë KEDS, KOSTT dhe KEK.
Bajrami rikujtoi edhe premtimet paraardhëse të kryeministrit Albin Kurti, i cili para ardhjes në pushtet kishte deklaruar se energjia do të lirohej, pasi Kosova ka kapacitete të mjaftueshme energjetike.
Ajo paralajmëroi se çdo rritje e çmimit të energjisë ka efekt zinxhir, duke shkaktuar rritje të çmimeve të të gjitha produkteve dhe shërbimeve, me pasoja gjithmonë negative për standardin e jetesës.
Në fund, Bajrami theksoi se shtesat financiare të shpërndara nga Qeveria – përfshirë ato për lehona, fëmijë, të moshuar dhe studentë – nuk janë rezultat i zhvillimit ekonomik, por sipas saj, pasojë e varfërimit të qytetarëve.
Ajo u bëri thirrje qytetarëve që të reagojnë kundër, siç tha, vendimeve të padrejta të institucioneve publike dhe qeverisë.

