Një incident është shënuar gjatë transportit të një të dyshuari drejt gjykatës në Vushtrri, ku një zyrtar policor është kanosur nga i arrestuari. Rasti është konfirmuar nga Policia e Kosovës dhe ndaj të dyshuarit është hapur hetim për veprën penale “kanosje”.
Sipas raportit të policisë, zyrtari policor – viktimë në këtë rast – ka raportuar se gjatë rrugës për në gjykatë, është përballur me kërcënime nga ana e të dyshuarit, shtetas kosovar, i cili ndodhej në mjetin transportues.
“Viktima mashkull kosovar – zyrtar policor, ka informuar se gjatë transportit me veturë të të dyshuarit mashkull kosovar për në gjykatë, është kanosur nga i dyshuari. Me vendim të prokurorit është iniciuar rasti në fjalë,” thuhet në njoftimin zyrtar të policisë.
Prokuroria ndërhyn – hetimet për kanosje nisin menjëherë
Menjëherë pas raportimit të rastit, prokurori kompetent ka urdhëruar nisjen e hetimeve ndaj të dyshuarit nën dyshimin për veprën penale “kanosje ndaj personit zyrtar gjatë ushtrimit të detyrës”.
Policia e Kosovës nuk ka dhënë më shumë detaje për motivet e incidentit, ndërsa hetimet pritet të zbardhin rrethanat e plota të ngjarjes.