Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar se vazhdon monitorimi i rregullt i cilësisë së ujit të pijshëm në të gjithë territorin e Kosovës, në bashkëpunim me qendrat rajonale të shëndetit publik.
Sipas rezultateve të analizave të datës 15 janar 2026, situata e furnizimit me ujë të pijshëm mbetet e pandryshuar dhe brenda standardeve të lejuara në rajonet e Prishtinës, Mitrovicës, Ferizajt, Prizrenit dhe Gjakovës.
Megjithatë, përjashtime janë evidentuar në rajonet e Gjilanit dhe Pejës, ku në disa zona uji nuk rekomandohet për pije.
Në rajonin e Gjilanit, IKSHPK bën të ditur se në zonën e Kamenicës – konkretisht në Stacionin nr. 1 dhe Besa Center – cilësia e ujit është brenda standardeve të lejuara. Ndërsa në Stacionin e pompimit nr. 2, në zonën Bahqja dhe në fshatin Berivojcë, është vërejtur rritje e vlerave të nitrateve mbi kufijtë e lejuar, për çka uji në këto zona nuk rekomandohet për pije.
Sa i përket rajonit të Pejës, situata paraqitet stabile në qytetin e Pejës, Deçan, Junik dhe Istog, ku uji është i sigurt për përdorim. Ndërkaq, në Klinë, përkatësisht në rrjetin e furnizimit nga puset dhe nga burimi Jarinë, për shkak të vlerave të rritura të turbullirës, uji nuk rekomandohet për pije.
IKSHPK u bën thirrje qytetarëve që t’u përmbahen rekomandimeve zyrtare dhe njofton se do të vazhdojë monitorimin e vazhdueshëm të cilësisë së ujit, duke informuar publikun në kohë për çdo ndryshim të situatës.

